Anisa Gjini Pune Zemre

Anisa Gjini

UDHËRRËFYESE

ANISA GJINI

Anisa Gjini ka studiuar Informatikë Ekonomike me profil Menaxhim Biznesi dhe më pas vazhdoi studimet e saj në Inxhinieri Software, pranë universitetit Åbo Akademi në Finlandë, ku u njoh me botën e inovacionit në Finlandë, konceptin e akseleratorëve dhe evente të njohura ndërkombëtarisht si SLUSH, duke e frymëzuar për të sjellë eksperiencën e saj në Shqipëri.

 

 

Me një karrierë të ndërtuar mbi inovacionin digjital, strategjinë e markës dhe menaxhimin e projekteve, ajo është një zë i rëndësishëm në transformimin digjital dhe zhvillimin e markave në tregun shqiptar. Aktualisht, ajo punon si pedagoge në Fakultetin e Teknologjisë së Informacionit dhe strategiste e markës për HL Branding, duke analizuar dhe zbatuar strategji të personalizuara për bizneset që kërkojnë të rriten në tregjet lokale dhe ndërkombëtare.

Anisa është gjithashtu bashkëthemeluese dhe prezantuese e Podcast-it Mercury Hub, një platformë që synon të krijojë ura midis edukimit akademik dhe mundësive profesionale për të rinjtë, duke i fuqizuar ata të ndjekin karrierat e tyre në fusha të ndryshme. Përvoja e saj në menaxhimin e akseleratorit Uplift ka përfshirë koordinimin e programeve për startup-e, duke koordinuar rekrutime, evente dhe seanca mentorimi që nxisin rritjen e sipërmarrësve të rinj dhe zhvillimin e ideve të reja.

 

Në rolet e saj të mëparshme si Menaxhere IT, lektore dhe gazetare në Dokufest, Anisa ka përfituar një kuptim të thellë të transformimit digjital dhe ndikimit të tij në jetën e përditshme.

Anisa do të ofrojë një masterklasë mbi ekosistemin inovativ dhe sipërmarrës shqiptar. Ky prezantim synon të jetë një udhëzues miqësor për sipërmarrësit e rinj që duan të lundrojnë në ekosistemin inovativ të Shqipërisë. Së bashku me Anisën do të zbulojmë mundësitë e financimit që ofrohen nga institucione të ndryshme, si të qaseni në ekosistemin dixhital dhe cilat janë akseleratorët që mbështesin idetë e reja në këtë treg. Prezantimi do të jetë i strukturuar në mënyrë të qartë dhe informuese, për të ofruar njohuri të vlefshme dhe konkrete që ndihmojnë në marrjen e hapave të parë drejt suksesit në fushën e inovacionit dhe teknologjisë.