Gjithmonë kam vështirësi ta etiketoj veten me dy a tre fjalë sepse eksperienca ime jetësore, akademike dhe profesionale ka qenë e larmishme dhe unë kam plan të vazhdoj ta mbaj të tillë.
…
Jam diplomuar për të drejtë biznesi te University of New York në Tiranë dhe më pas kam vazhduar studimet për masterin e dytë MCL – në ligj korporatash – në University of Cambridge, në Britaninë e Madhe. Pas studimeve kam punuar si avokate biznesi në një nga studiot ligjore më të njohura për çështje dhe klientë të ndërkombëtarë dhe vendas, në Shqipëri edhe Kosovë, publike edhe private.
Pas 3 vitesh avokate e gjeta veten në një projekt konsulence në Kosovë nga ku edhe nisi rrugëtimi im si profesioniste e pavarur dhe themeluese e platformës së parë të teknologjisë ligjore në Shqipëri, Legit.al. Formësimi si sipërmarrëse më angazhoi të punoja në disa platforma edukative dhe inovacioni që nga Innovation Centre in Kosovo, Academy of Women Entrepreneurs, Challenge Fund by EU4Innovation dhe shumë të tjera. Në vitin 2021 jam zgjedhur si një nga Të Rinjtë e Vitit dhe në vitin 2022 si Gruaja e Vitit nga ICT Awards.
E pasova këtë rrugëtim me një eksperiencë në venture capital pranë Plug and Play Tech Center në Silicon Valley në Kaliforni, si platforma më e madhe e inovacionit në botë edhe me edukim ekzekutiv mbi Digjitalizimin e Bizneseve nga University of Stanford.
Pas rikthimit në Shqipëri u fokusova tek edukimi, inovacioni dhe rritja e të rinjve në fushën e arsmit dhe profesioneve të së ardhmes.
Kjo mbetet një temë pasioni për mua, edhe pse tani jam duke praktikuar konsulenca astrologjike përmes The Rising Stardust, ku kam privilegjin çdo ditë të ndihmoj klientët e mi nga gjithë bota të rikujtojnë potencialin e tyre më të lartë, profesional dhe jo vetëm, sipas kompozimit të tyre energjitik dhe premtimit të diktuar nga shpirti dhe vetja e tyre më e lartë.
Me këtë privilegj dhe mirënjohje që kam për gjithë rrugëtimin tim akademik dhe profesional, dinamizmin dhe dëshirën e mirë për të mbështetur këdo që ndihet se ka më tepër potencial dhe thirrje zemre për të sjellë në realitet, vendosa të krijoj eventin Punë Zemre, me udhërrëfyes dhe miq të zemrës sime që i konsideroj si më të mirët në punët e zemrës që ata bëjnë dhe eksperiencat e shumëllojshme që kanë jetuar!
SI MBËRRITA KËTU?
Gjatë gjithë jetës sime adulte, qëkur nisa universitetin, e kam gjetur veten shpesh duke orientuar te rinj, por jo vetëm, për përzgjedhjet e tyre akademike dhe pastaj profesionale. Nisi me shokë e shoqe më të vegjël nga gjimnazi kur ata do të vendosnin për degën dhe universitetin ku do studionin pas mature, vazhdoi me studentë dhe të rinj e të reja gjatë kohës kur unë vetë isha një profesioniste e re, dhe ende sot udhëzoj dhjetra të rritur, deri edhe në të pesëdhjetat e vona, mbi rrugëtimin e tyre profesional dhe gjetjen – apo më saktë ‘kujtimin’ – e një thirrje zemre.
Para tre vitesh, pasi hoqa dorë nga profesioni im si avokate biznesi, nisa të punoj bashkë me një mike, për një nismë që e formalizonte këtë thirrje dhe kishte qëllim të mbështeste të rinj dhe të reja pikërisht në gjetjen, ndryshimin apo edhe transformimin e plotë të punës së tyre, e cila jo vetëm i plotësonte ata shpirtërisht dhe financiarisht, por edhe i bënte të ndiheshin vetvetja ndërkohë që rriteshin dhe i shërbenin një funksioni më të madh kolektiv në telajon komplekse dhe të bukur të njerëzimit. Kjo nismë nuk u materializua plotësisht, për 1001 arsye, por ajo që u bë, u bë me shumë dashuri dhe të qeshura. Ky ishte regjistrimi i podcastit Mercury Hub.
Në vitet në vazhdim e gjeta veten ndërmjet vendimit për të deleguar plotësisht sipërmarrjen time të teknologjisë ligjore – Legit, eksperiencave profesionale dhe edukuese në ekosistemin e inovacionit, nga Shqipëria dhe deri te Plug and Play Tech Centre. Me rikthimin në Shqipëri organizova dhe mora pjesë në disa evente edukative për të rinjtë mbi të ardhmen e punësimit, që nga puna në distancë, nomadizmi digjital, Inteligjenca Artificiale (AI) në punë, e shumë të tjera.
E lashë pas atë ekosistem pasi kuptova se funksiononte mbi baza fondesh dhe axhenda të jashtme, dhe jo thirrjeje zemre – siç mua më pëlqen të mësoj dhe punoj. Në vitin e fundit kam konsultuar dhjetra persona, kryesisht gra, nga 18 deri në 68 vjet! Çdo konsultë ka qënë punë zemre për mua teksa hasesha shpesh me pyetjen ‘çfarë do bëhem kur të rritem?’ (edhe nga 40+ vjeçare) apo ‘cili është misioni im në jetë?’. Mbështetja më e madhe që mund tu jepja ishte eksperienca ime dhe pikërisht kurajo (zemër) për të ndjekur zemrën, sepse çdo gjë që në vendosim energjinë tonë është krijim i yni, fëmija jonë! Kështu të paktën i përqasem unë gjysmës së skuadrës së futbollit (sipërmarrjeve) që kam krijuar në 6 vitet e fundit.
Gjithsesi, e vetëdijshme për rëndësinë e këtyre pyetjeve dhe kompleksitetin e përgjigjeve, siç vetë pata rrugëtim (të vazhdueshëm) të mbushur me mentorë dhe udhërrëfyes të shenjtë për mua, e dija që më duhej një dorë nga secili prej tyre që të udhëzonim, orientonim, provokonim mendime dhe ndjesi te më tepër persona – qofshin këta të rinj pa ide të qarta për rrugëtimin e tyre, të rritur me pak apo shumë eksperienca, apo edhe ata që po i afrohen pensionit në moshë ligjore por aspak në qëllime dhe projeksione pune e kontributi profesional.
Me këto në mendje (thënë shumë shkurt më sipër), bëra bashkë më të mirët për mua, dhe sinqerisht më të mirët në fushën e secilit prej nga ata vijnë, që të na hapin botëkuptimin dhe japin udhëzime – ca klasike, ca inovatore, për të orientuar rrugëtimin tonë profesional në bërjen e asaj që ndihet si thirrja jonë më e lartë dhe më e natyrshme, që unë e kam quajtur ‘Punë Zemre’.